Viti i ri ka nisur në mënyrën më të keqe në Sarandë. Në orët e para të mëngjesit të 2 Janarit ka ndodhur një sherr mes 12 personave në fshatin Gjashtë. Policia e Sarandës bën me dije se në këtë sherr janë përdorur edhe armët e zjarrit, ku mes personave të përfshirë kanë qenë edhe 4 punonjës policie.
Mësohet se efektivët të cilët kanë marrë pjesë në përplasje dyshohet të jenë Alvaro Sulejmani, efektiv në Komisariatin e Policisë Himarë, Kidi Sulejmani dhe Ergis Sulejmani, të dy efektivë të Policisë Kufitare Sarandë, Redi Sulejmani, student në Akademinë e Policisë Tiranë (këta 3 të fundit vëllezër),
Siç raportohet nga vendi i ngjarjes, bëhet me dije se anëtarët e fisit Sulejmani kishin marrë një makinë me qira tek dy vëllezërit Enea Nexhipi dhe Albi Nexhipi dhe se konflikti ka nisur për detyrimin e qiramarrjes së automjetit. Po ashtu bëhet me dije se, policët e përfshirë në sherr kanë dëshmuar se kanë përdorur armët e shërbimit, duke u justifikuar se ishin sulmuar nga vëllezërit Nexhipi.
“Më datë 02.01.2025, rreth orës 01:35, në fshatin Gjashtë, Sarandë, dyshohet se janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, duke përdorur sende të forta, disa shtetas, ndërmjet tyre dhe punonjës policie jashtë shërbimit.
Si pasojë e konfliktit, kanë mbetur të dëmtuar shtetasit E. N. dhe A. N., të cilët, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme”, ishte ky njoftimi paraprak për ngjarjen nga policia e Sarandës.
Mësohet se hetimet janë nisur edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi në ngjarje janë të përfshirë edhe 4 oficerë të policisë.