Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Sarandë ka përmbyllur që muajin e kaluar procedurat për blerjen e materialeve të dekorit të fundvitit, me një fond të përgjithshëm prej 2,248,900.00 lekë, nga fondi limit prej 2,500,000.00 lekë.
Objekti i tenderit përfshinte blerjen e materialeve të ndryshme për dekorin festiv, si drita për pemën e Krishtlindjeve, flamuj, globa, fjongo, tela, lidhëse dhe llamba.
Tenderi u hap më datë 31-10-2024 dhe u mbyll më 11-11-2024, ndërsa rezultatet u publikuan më 14-11-2024.
Ky investim pritet të sjellë një pamje festive në qytetin e Sarandës, i cili prej disa vitesh ka edhe një treg Krishtlindjesh. Shpenzimet në dekorin festiv duket se janë pjesë e përpjekjeve të Bashkisë Sarandë për ta shndërruar qytetin në një destinacion edhe gjatë dimrit, duke tejkaluar reputacionin e saj si një destinacion tipik veror.