FOTO – Selenica ndez dritat e festave, por rreth bredhit mungojnë njerëzit

FOTO – Selenica ndez dritat e festave, por rreth bredhit mungojnë njerëzit

Selenica, aty ku koha ka ndaluar”, ky ishte titulli i reportazhit për qytetin bashki të Selenicës, ku përmes fotove tregohej panorama e trishtë e braktisjes dhe lënies pas dore të vendit.

Selenica i ngjan një qyteti fantazmë, ku të duhet të presësh minuta të tëra për të takuar banorë të zonës, e të duhen orë të tëra kërkim për të gjetur një të ri.

Kjo panorama e trishtë shfaqej edhe mbrëmjen e së mërkurës, kohë kur Bashkia Selenicë vendosi të ndezë dritat e festave.

Bredhi i vendosur në lulishten e qytetit prej ditësh të tëra qëndroi i pandriçuar dhe dritat u ndezën vetëm të mërkurën në mbrëmje.

“Mes një atmosfere të bukur festive e ngazëllimit të fëmijëve, ndezëm së bashku dritat e pemës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri duke uruar për të gjithë një vit të bardhë e të begatë, plot shëndet e lumturi në çdo familje të Bashkisë Selenicë por edhe kudo në trojet shqiptare”, kështu e përshkoi atmosferën Nertil Bella, kreu i Bashkisë Selenicë.

Por realiteti, të paktën nga fotografitë dhe pamjet e publikuara nga bashkia, duket që është ndryshe. Rreth pemës ishin pak fëmijë, po kaq edhe të rritur. Ku të gjithë banorët që kishin dalë në shesh për këtë festë ishin shumtë të paktë, 20 a 30 vetë.

Edhe vetë bashkia me pamjet e publikuara prej saj duket se pranon realitetin e trishtë, braktisjen e vendit, ku pak nga pak po shuhen fshatra të tërë.