Gjatë muajve të verës në Orikum mund të gjesh këdo. Qyteti i vogël në jug të Vlorës mbushet plot me turistë gjatë verës, por në dimër panorama është krejt ndryshe.
Në rrugët e kësaj qyteze për muaj e muaj me radhë është vështirë të gjesh një të ri, pasi të gjithë largohen sapo përfundon sezoni turistik. Shkaqet e largimit në masë të të rinjve janë të shumta, por me kryesoret janë mungesa e vendeve të punës dhe ekonomia e ulët.
“Ja, unë jam vetëm fare, kam 11 vite vetëm. Një e kam në Angli, një në Francë. Njëri iku si i vogël dhe është me forcat e NATO-s, ka 25 vite dhe nuk mund të kthehet më këtu, është mësuar atje dhe nuk e lejojnë, është duke u ngritur atje.
Kanë ikur shpejt, u hapën rrugët dhe u duk kush e di çfarë. Unë merrem me bletë, me pensionin nuk ja del dot në asnjë mënyrë, vetëm ilaçe. Kanë mbetur vetëm moshat e treta”, thotë një e moshuar që detyrohet të kryej vetë çdo punë për të jetuar.
Të njëjtën panoramë tregon dhe një i moshuar tjetër. “Unë kam 4 fëmijë të gjithë të larguar. Ata të kthejnë? Jo, bile ata më thonë mua, me gjithë gruan, mbyll dyert e shtëpisë të gjitha, vendosi çelësin dhe…hajde!”, pohoi ai.
“Këtu kanë mbetur vetëm pensionistë, vetëm ne pensionistët. Të larguar janë të gjithë; ja, unë jam vetëm me gruan, kam tre fëmijë, s’kam asnjë këtu, ç’të them unë, do vdes vetëm, kanë ikur jashtë shteti që të ushqehen, që te na mbajnë dhe ne”, shprehet një tjetër banor i mbetur në Orikum.
Ky qytet po shuhet nga viti në vit, nëse pak vite më parë numëroheshin 12 mijë banorë rezidentë tashmë duket thuajse i boshatisur. Teksa të moshuarit vuajnë të vetëm, në kërkim të fëmijëve që të kthehen, bizneset ankohen se nuk ka më forcë punëtore.