Kanale kulluese të bllokuara dhe të papastruara në disa zona të qytetit të Vlorës dhe në periferitë e saj po krijojnë shqetësime të mëdha për banorët. Këto kanale, të cilat kanë funksion jetik për largimin e ujërave të tepërta, janë lënë pas dore për një periudhë të gjatë kohore, duke e kthyer situatën në një problem emergjent.
Rrezik për përmbytje në prag të sezonit të shirave
Me afrimin e shirave të dimrit, shumë banorë të zonave periferike shprehin frikë nga përmbytjet.
“Kanali pranë lagjes sonë është plotësisht i bllokuar me mbetje dhe barëra të rritura. Jemi të shqetësuar se si do përballojmë shirat e mëdhenj,” tha një banor ne hyrje të Vlorës.
Probleme të ngjashme raportohen edhe në zona të tjera si Novosela, Narta dhe Kanina.
Papastërtia, një kërcënim për shëndetin publik
Përveç rrezikut të përmbytjeve, kanalet kulluese të bllokuara po krijojnë mjedise të favorshme për përhapjen e insekteve dhe sëmundjeve.
“Kanali në afërsi të shtëpisë sonë ka filluar të mbajë erë të rëndë, dhe kjo ndikon negativisht në shëndetin tonë. Fëmijët kanë filluar të kenë probleme me alergjitë,” tha një banore tjetër.
Mungesa e ndërhyrjes së plotë nga autoritetet, apel për veprim të menjëhershëm
Sipas banorëve, autoritetet lokale nuk kanë marrë ndonjw masë serioze për pastrimin e kanaleve. Megjithëse problemi është ngritur disa herë në takime me përfaqësues të bashkisë, ende nuk ka pasur veprime konkrete. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese.
Ata theksojnë se një menaxhim i mirë i këtyre kanaleve është thelbësor për të parandaluar përmbytjet dhe problemet shëndetësore gjatë dimrit.