“Përdorte makineri pa u trajnuar”, policia gjen përgjegjës administratorin e firmës për plagosjen e të riut në punë

“Përdorte makineri pa u trajnuar”, policia gjen përgjegjës administratorin e firmës për plagosjen e të riut në punë

Policia e Vlorës ka arrestuar administratorin e firmës së ndërtimit, që po ndërtonte pallatin ku u aksidentua i riu Arbër Shakaj.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, blutë e Vlorës bëjnë me dije se kanë vënë në pranga administratorin Leonidha Capi, pasi janë shkelur kushtet teknike gjatë ndërtimit të pallatit.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se punëtori, shtetasi A. Sh., 27 vjeç, ka rënë aksidentalisht nga kati i katërt i pallatit në ndërtim, gjatë përdorimit të një makinerie për të cilën nuk ishte i trajnuar. 27-vjeçari po merr mjekim në Spitalin e Traumës”, sqaron policia.

Lidhur me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë dhe inxhinieri zbatues. “U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. G., 70 vjeç, me detyrë inxhinier zbatues në këtë firmë”, citohet në njoftim.

Mësohet se aksidenti ka ndodhur teksa Arbër Shakaj, punëtor në këtë pallat, ka qenë duke hedhur suvatimet në pjesën e pasme, kur pompa e suvatimit e ka trondit dhe ka rënë prej andej. Pikërisht për përdorimin e pompës së suvatimit, policia pohon se Shakaj nuk ka qenë i trajnuar.