Shkallët historike që të çojnë drejt Kuzum Babasë në Vlorë, një nga vendet më të vizituara për vlerat kulturore dhe fetare, ndodhen prej vitesh në një gjendje të mjerueshme. Megjithëse ky destinacion ka një rëndësi të veçantë për turizmin dhe trashëgiminë kulturore të qytetit, autoritetet lokale nuk kanë marrë asnjë masë për restaurimin e tyre.
Shkallët janë të dëmtuara, me shumë segmente të thyera, duke i bërë të rrezikshme për vizitorët. Për më tepër, fundi i shkallëve është shndërruar në një zonë të mbushur me mbeturina, një pamje që cenon rëndë imazhin e këtij vendi dhe pasqyron një mungesë totale të përkujdesjes nga ana e institucioneve përkatëse.
Banorët lokalë dhe vizitorët kanë ngritur shpesh shqetësimin për këtë situatë, duke theksuar se Kuzum Baba, si një nga atraksionet kryesore të qytetit, meriton një trajtim më të denjë. Megjithatë, kërkesat e tyre kanë hasur deri tani në vesh të shurdhër.