Teksa qytetarët e Vlorës po përballen ende me pasojat e përmbytjeve të muajit tetor, situata meteorologjike parashikohet që të përkeqësohet.
Pas një muaji me diell, reshjet e shiut do të kthehen këtë të enjte. Referuar parashikimit për situatën hidrometeorologjike në zonën e Vlorës, sipas kapitenerisë së këtij qytet priten reshje të dendura shiu.
Parashikohet që reshjet e shiut të nisin në orën 02:00 pas mesnate me nivel reshjesh nga 0.1mm/orë shi deri 1.5mm/orë shi me intervale 2-3orshe deri ditën e shtunë datë 16.11.2024.
Qytetarët e Vlorës duket se këtë herë nuk do të presin nga autoritetet për t’u mbrojtur nga vërshimet, por kanë marrë vetë masat.
Në shumë hyrje garazhesh janë vendosur thasë me rërë, si një masë mbrojtëse nga vërshimet e ujërave.