Kosha plot dhe mbetje të hedhura kudo rreth tyre. Kjo është pamja që u serviret të gjithë kalimtarëve në periferi të Vlorës. Këto pamje janë një pjesë e vogël e gjithë asaj që ndodh larg qendrës së Vlorës.
Këto kosha janë në fshatin Babicë e Madhe, vetëm pak kilometra nga qendra e Vlorës. Siç shihet, mbetjet urbane kanë disa ditë që nuk janë pastruar, ku përveç kazanëve të tejmbushur, plehrat janë të shpërndara kudo.
Gjurmon.al pyeti banorët e zonës dhe ata u shprehën se Bashki Vlorë, vjen shumë rrallë të pastrojë këtë zonë. “Vijnë një herë në javë ose dhe më rrallë. Kjo situatë është gjithmonë”, tregoi një prej banorëve, i cili gjeti reporterin tonë duke dokumentuar situatën.
Kjo situatë është e njëjtë prej kohësh në fshatin Babicë e Madhe. Gjurmon.al e ka vëzhguar zonën në ditë të ndryshme dhe ka konstatuar se situata është e njëjtë. Njësoj si në këtë fshat në periferi të qytetit, ndodhen edhe zona të tjera.