Përmbytjet e 4 tetorit kanë detyruar Bashkinë Vlorë dhe Inspektoratin e mbrojtjes së Territorit që të nisin një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar mbi kanalin e ujërave të larta.
Pavarësisht se zyrtarët e bashkisë apo edhe të qeverisë deklaruan se përmbytjet u shkaktuan për shkak të reshjeve të shumta, por jo për fajin e autoriteteve që nuk kishin kryer detyrat si duhet, tre javë pas situatës së rëndë në qytet ka nisur aksioni për lirimin e kanaleve.
Kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, pas nisjes së aksionit theksoi se pas përmbytjes ka filluar evidentimi i të gjitha segmenteve ku ndodhen kanalizimet, dhe aty ku është abuzuar me ndërtime të paligjshme, do të ndërhyhet.
“Me këtë prishje shpresojmë të japim një mesazh të qartë për të gjithë ata që pengojnë mirëfunksionimin e këtij kanali. Masat konkrete që po marrim sot do të vazhdojnë edhe në vijim”, tha Dredha.
Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në kanalet e ujërave të larta në qytetin e Vlorës, i nisur nga Bashkia e Vlorës, do të vijojë në evidentimin e të gjitha ndërhyrjeve të paligjshme në zonë.
Tashmë do të presim nëse përveç aksionit të prishjes së ndërtimeve pa leje, a do të ketë dhe masa ndëshkuese për ndërtuesit, por edhe për ata që kanë lejuar zaptimin e hapësirave publike.