Universiteti i Vlorës për çdo vit që kalon pret më pak studentë në auditorë. Programet e studimit nga viti në vit po pakësohen për shkak se shumë maturantë zgjedhin që të mos aplikojnë për të vijuar studimet në Universitetin e Vlorës që mban emrin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali.
Sipas “Portalit Studentor”, i specializuar për çështjet e arsimit, Universiteti i Vlorës aktualisht ka 27 programe studimi, por dikur ka pasur shumë më shumë. Edhe vetë universiteti në faqen e tij online, reklamon 27 programe studimi dhe u bën ftesë studentëve të aplikojnë, por duket se kjo thirrje po shkon në vesh të shurdhër.
Në vitin akademik 2023-2024 ishin 37. 5% e programeve të studimit që rrezikonin të mbylleshin, por për këtë vit të ri akademik situata është më e zymtë. Sipas të dhënave të siguruara nga Gjurmon.al, janë 11 degë që rrezikojnë të mbyllen ose 40.74% e të gjitha degëve.
Shkencat ekzakte drejt mbylljes
Universiteti i Vlorës në një përgjigje me shkrim për Gjurmon.al në bazë të ligjit për informimin, pranoi se është orientuar drejt degëve për të shkolluar ekspertë në fushën e turizmit. Teksa sytë janë hedhur drejt turizmit, po zhduken degët e shkencave ekzakte.
Dega e Biologjisë në Universitetin e Vlorës ka 34 kuota të lira, por për këtë program studimi për vitin akademik 2024-2025 është regjistruar vetëm 1 studentë. Situata është alarmante, pasi ky studentë do të marrë leksione nga një duzinë pedagogësh por në auditor do të jetë i vetëm.
Njëjtë është situata edhe në programe të tjera studimi, ku në Matematikë, Histori-Gjeografi etj., numri i studentëve që kanë shprehur dëshirën për të studiuar numërohet me gishtat e duarve.
Numri i Studentëve të regjistruar 2024- 2025

Por edhe në degët e tjera situata nuk është më premtuese, pasi në të gjitha programet e studimit kuotat nuk janë plotësuar. Të vetmet degë që vijojnë të jenë të pëlqyera nga studentët janë ato të mjekësisë.
Sipas të dhënave të siguruara nga Gjurmon.al, bëhet me dije se në degët Teknik laboratori kimik, Mami dhe Infermieri e përgjithshme studentët plotësojnë më shumë se 50% të kuotave. Sa i përket programit të studimit Teknik laboratori kimik nga 52 kuota të lira kanë aplikuar 44 maturanë, për Mami kanë aplikuar 45 për 80 kuota të lira, ndërsa në Infermieri e përgjithshme nga 180 kuota do të vijojnë studimet 176 studentë.
Degët prioritare drejt mbylljes
Disa vite më parë duke parë krizën për mësues në fusha të ndryshme, qeveria ndërmori nismën për të shpallur si degë prioritare, programet e studimit për mësuesinë. Por nga të dhënat e grumbulluara nga Gjurmon.al rezulton se as dhënia e bursës sa paga minimale nuk ka thithur studentë.

Universiteti i Vlorës ka gjithsej 6 degë studimi prioritare, por për këtë vit akademik rrezikojnë të mbyllen 5 prej tyre ose 83.33%. Kjo tregon qartë se bursat në programet prioritare nuk i nxisin studentët të aplikojnë në këto programe studimi, por kemi ende një tendencë në rritje të aplikimeve në degët të cilat u japin mundësi këtyre të fundit për t’u profilizuar jashtë vendit.

