Pastrimi i bregdetit dhe zonave rreth tij ishte një prej problemeve kryesore më të cilin u përballen turistët vendas dhe të huaj që zgjodhën të vizitonin Vlorën, Himarë apo Sarandën përgjatë këtij viti.
Të shumta ishin denoncimet publike, ku tregonin pirgjet me plehra që kundërmonin aromë të rëndë buzë detit, në plazhet private dhe ato publike.
Gjurmon.al gjatë ditëve më të nxehta të verës, kur edhe sezoni ishte në kulm të tij bëri një vëzhgim në disa prej plazheve kryesore, ku panorama ishte e njëjtë. Kazanët e mbetjeve të pa pastruar, mbetura të hedhura kudo dhe plazhe të ndotura.
Ky problem pavarësisht se ishte shumë i dukshëm, por edhe shumë shqetësues, nuk ishte në prioriteteve e bashkive që menaxhojnë plazhet më të bukura.
Në 21 shtator, në ditën ndërkombëtare të pastrimit të bregdetit, kur pothuajse të gjithë turistët ishin larguar dhe plazhet ishin bosh, bashkitë Vlorë, Himarë dhe Sarandë, ndërmorën një aksion për të pastruar atë çka kishte lënë pas kaosi i sezonit turistik.
Por ajo që binte në sy nga fotot e publikuara në mediat sociale nga bashkitë, ishte fakti që punonjësit e bashkisë bashkë me titullarët më të lartë, përveç mbetjeve të lëna nga vizitorët ishin angazhuar për të sistemuar atë çfarë kishin lënë bizneset që për disa muaj me radhë kishin shfrytëzuar rënën dhe detin.
Në të tilla raste mund të ishin vendosur gjoba për ato biznese që nuk kanë zbatuar rregullat dhe ligjet në fuqi për të lënë një ambient të pastër pas shfrytëzimit të plazhit, por bashkitë nuk e kanë parë të arsyeshme këtë fakt.