Për vite me radhë gjatë sezonit turistik, Vlora gdhihet e mbuluar nga tymi i plehrave që digjen në fushën e grumbullimit në periferi të qytetit. Skenat apokaliptike të tymit që mbulojnë Vlorën, si ajo e 25 korrikut, i lënë gojëhapur turistët që vizitojnë qytetin dhe rrethinat e tij për të shijuar detin dhe i ka vënë në vështirësi operatorët turistikë. Banorët e qytetit ndërkohë vuajnë prej vitesh erën e rëndë që vjen nga fusha e mbetjeve dhe problemet shëndetësore që sjellin ato.
Landfilli i Sherishtës është pjesë e një projekti të integruar për menaxhimin e mbetjeve në qarkun e Vlorës me vlerë 20.8 milionë euro i financuar nga KfW, nga të cilat 12.5 milionë euro janë kredi që paguhen nga qeveria shqiptare dhe pjesa tjetër grante.
Projekti iu besua kompanisë “Integrated Technology Services” të Klodian Zotos dhe ka ngecur në vendnumëro që prej sekuestrimit të kompanisë me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe arratisjes nga drejtësia të pronarit të saj, i dënuar dy herë nga gjykata për korrupsion dhe pastrim parash me koncesionet e incineratorëve në Elbasan dhe Fier.
Punimet në landfillin e Sherishtës duhej të kishin përfunduar në vitin 2021 dhe zyrtarisht, përfaqësues të Bashkisë së Vlorës kanë deklaruar disa herë se landfilli do të vihet në punë.
Megjithatë, Bashkia e Vlorës i tha BIRN përmes një përgjigje me shkrim se nuk ka ende një projekt për mbylljen e punimeve që mbetën rrugës dhe as një afat për vënien në punë të landfillit.
“Përfundimi i punimeve të parealizuara do të mundësojë vënien në funksionim të Landfillit të Sherishtës, por nuk mund të parashikojmë në këtë moment një afat të saktë për përfundimin e punimeve dhe marrjen në dorëzim të impiantit nga ana e Bashkisë Vlorë,” thuhet në përgjigjen zyrtare./ Të plotë e gjeni në Reporter.al