Nis çelja e zogjve në Vjosë Nartë, a do mbijetojnë në habitatin e tyre pas ndërtimit të aeroportit?

Nis çelja e zogjve në Vjosë Nartë, a do mbijetojnë në habitatin e tyre pas ndërtimit të aeroportit?
Një nga mijëra zogjtë që po çelin edhe njëherë në Vjosë Nartë. Në madhësinë e gishtave të dorës, zogjtë e sapoçelur të sqepbizës janë të padukshëm në habitatin e tyre, ngjitur me kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Cikli i jetës vazhdon edhe këtë vit në deltën e lumit Vjosa, ku zogjtë e mijëra çifteve nga rreth 40 llojet folezuese të Peizazhit të Mbrojtur, po çelin për të bërë në natyrë luftën e tyre për mbijetesë. Pavarësisht aftësive të tyre për t’u kamufluar nga grabitqarët, shpejtësisë dhe kujdesit në fluturim, ata nuk janë të përgatitur për atë që planifikojnë autoritetet shqiptare në shtëpinë e tyre.
Mijëra dhoma betoni në vend të pyllit dhe dunave shekullore, rrugë të asfaltuara në hapësirën e folezimit, drita të forta në zonat e strehimit dhe qindra avionë të çeliktë në hapësirën e fluturimit.
Sot në Ditën Evropiane të Parqeve, kujtojmë se qeveria shqiptare ka vendosur t’i transformojë ato me ligjin e ri të Zonave të Mbrojtura dhe precedentin e aeroportit në deltën e Vjosës, brenda Zonës së Mbrojtur, duke shpërfillur edhe vetë Bashkimin Evropian.
Edhe pse të gjithë heshtin, ne jemi në kohë për të shpëtuar natyrën tonë dhe të kërkojmë që shkenca dhe publiku të jenë pjesë e vendimmarrjes.
Shkrim i botuar në Protection and Preservation of Natural Environment in Albania