Reshjet e dendura të shiut kanë zhytur në kaos qytetin e Vlorës. Përveç se duhet të qëndrojnë të izoluar, për shkak të rrugëve që janë mbushur me ujë, banorët e Vlorës do të kalojnë natën pa energji elektrike dhe pa ujë.
Përveç bashkisë, në ndihmë kanë shkuar edhe Emergjencat Civile dhe Forcat e Armatosura, ku deri më tani janë evakuuar 30 familje. Kryebashkiaku Ermal Dredha, i dorëzuar para situatës së rënduar kërkoi sërish ndihmë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile.
“Situata vijon të mbetet jo ajo që duam për shkak të prurjeve të reshjeve që ishin shumë të dendura. Shiu zgjati për një kohë të gjatë, 2 orë e 30 minuta pa ndalim që shkaktoi dhe një efekt negativ tek pjesa e kanalit të ujërave të larta që ka dalë jashtë shtratit dhe gjithë uji ka vërshuar në mes të qytetit”, pohoi Dredha.
Aktualisht në qytetin e Vlorës është shkëputur energjia elektrike dhe po ashtu është ndërprerë furnizimi me ujë, ndërsa qytetarët ankohen se në këto kushte e kanë të pamundur të shkarkojnë ujin me pompa nga banesat e përmbytura.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka reaguar për situatën duke sqaruar se punonjësit e tyre në Vlorë kanë vepruar për të shmangur ndonjë tragjedi nga kontakti me rrymën teksa qyteti është mbuluar nga uji, duke stakuar kështu disa fidera.
Po ashtu OSSH sqaron se do të ketë ndërprerje të energjisë deri në përfundimin e kontrolleve në çdo kabinë elektrike, të cilat rrezikojnë të jenë të përmbytura.