Pas më shumë se dy muaj nga denoncimi i Gjurmon.al, Bashkia Vlorë më në fund ka rregulluar sahatin e qytetit. Simboli shumë vjeçar në qendër të Vlorës, që është dhe objekt referimi për shumë banorë prej muajsh ishte lënë në harresë.
Ora kishte mbetur 11 e 15 minuta, por askush nga bashkia nuk ishte kujtuar për të rregulluar një problem të vogël por me rëndësi për qytetin.
E tashmë pak ditë para zgjedhjeve, ku çdo veprim konsiderohet prej shumë kujt si fushatë, Bashkia Vlorë “i ka vendosur bateri” orës së qytetit.
Kreu i bashkisë, Ermal Dredha, teksa pranon problemin, në një postim në mediat sociale pohon se sahati tashmë punon.
“Pyetjen e vazhdueshme, të stërpërsëritur, gjithmonë të njëjtë, ‘A punon kjo ora?!’, nuk keni pse e bëni më! Po, sahati tregon orën e saktë!”, shkruan Dredha në Facebook. Tashmë qytetarët e Vlorës mund të orientohen për orën edhe te sahati i qytetit e jo vetëm në telefonat e tyre.