Fenomeni i ashtuquajtur “asfalti elektoral” është shtrirë edhe në Bashkinë Selenicë. Rruga që lidh fshatin Kotë me fshatin Hysoverdh prej vitesh ka kërkuar investim, dhe u deshën zgjedhjet e 11 majit që investimi të mbërrinte.
Banorët e fshatit i thanë Gjurmon.al se ‘shtrimi’ i rrugës është bërë pak ditë para zgjedhjeve, si dhuratë për fushatë dhe një sinjal se votat duhet të orientoheshin drejt partisë në pushtet.
“E shtruan rrugën pak ditë para votimeve, na premtuan se do rregullohej e gjitha, por vetëm disa makina çakëll u hodhën dhe u sistemuan disa gropa”, tha një banor, i cili shtoi se “tashmë e shihni edhe vetë gropat kanë nisur të krijohen sërish”.
Njësoj si e përshkruan ky banor, që kërkoi të mbetej anonim, pamjet tregojnë qartë situatën ku shtrimi i rrugës është lënë në mes dhe gropat kanë nisur të shfaqen sërish.
Gjurmon.al kërkoi në Agjencinë e Prokurimeve Publike për të gjetur detajet e këtij tenderi, por nuk u shfaq asnjë e dhënë.
Ndërkohë as në hyrje të rrugës dhe as përgjatë saj, nuk kishte asnjë tabelë informuese, se sa kushton për buxhetin e bashkisë kjo rrugë, cila kompani e ndërton, dhe detaje të tjera.
Raste të ngjashme tregojnë se investimet bëhen nga ndërmarrja e bashkisë, pa procedurë tenderimi, duke shmangur veprimet burokratike.
Por për banorët duket se procedurat e ndjekura nuk janë problem. “Ta bëjnë si të duan vetëm ta shtrojnë këtë rrugë se kemi frikë të kalojmë”, pohoi banori.