Vandalizëm në Kishën e Ksamilit: Dy persona dëmtojnë ikonat dhe kërcënojnë kujdestarin

Vandalizëm në Kishën e Ksamilit: Dy persona dëmtojnë ikonat dhe kërcënojnë kujdestarin

Një akt vandalizmi është shënuar pasditen e sotme në kishën “Ngjallja e Krishtit” në Ksamil. Sipas At Pandeli, përfaqësues i këtij objekti kulti, incidenti ka ndodhur në momentin kur kujdestari i kishës ishte duke mbyllur dyert dhe ka hasur në dy persona të dyshimtë.

Njëri prej tyre ndodhej brenda ambienteve të kishës, duke dëmtuar ikonat dhe objektet e kultit, ndërsa tjetri qëndronte jashtë në roje. Sapo kanë vënë re praninë e kujdestarit, ata janë larguar me shpejtësi, duke e kërcënuar atë.

Menjëherë pas ngjarjes, kujdestari ka njoftuar policinë, e cila ka ndërhyrë shpejt dhe ka arritur të kapë dy të dyshuarit pranë një stacioni autobusësh. Sipas burimeve, ata po merren në pyetje për të zbardhur motivet dhe rrethanat e këtij akti vandal.