Fusha e mbetjeve në Vlorë është përfshirë nga flakët sërish. Prej mbrëmjes së të dielës masivi me mbetje po digjet, kjo e ndihmuar edhe nga era e fortë që ka përfshirë qytetin.
Banorët e qytetit të Vlorës që jetojnë afër zonës së fushës së mbetjeve, pohojnë se kanë vërejtur prezencë të shtuar të tymit që prej mbrëmjes të së dielës, por mëngjesin e kësaj të hëne janë zgjuar të mbuluar nga reja e krijuar nga tymi toksik.
Pamjet flasin qartë, ku duket situata e rënduar në fushën e mbetjeve në Vlorë. Pas njoftimit nga banorët, në fushën e flakëve kanë mbërritur efektivët zjarrfikës në kapacitet të plotë dhe njëkohësisht shtabi i emergjencave civile në bashkinë Vlorë të cilat po luftojnë me flakët dhe njëkohësisht po monitorojnë situatën.
Në vendin e ngjarjes shkoi edhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, i cili për të disatën herë premtoi zgjidhjen për këtë problem.
“Këto mbetje nga këtu nuk do të largohen fillimisht do të mbulohen me dhè, e më pas do të nisë projekti me KFW që është kapsulimi. Do të bëhet ecopark. Kjo është faza e dytë. Fillimisht do të vëmë në punë Sherishtën dhe brenda kësaj jave, fundi i kësaj jave nisim me hedhjen e mbetjeve në landfildin e Sherishtës. Do të merren masa dhe për landfilldin këtu dhe atë në Orikum. Sezoni që do të vijë nuk do të na gjejë më as në Orikum e as këtu të jenë të përdorshme”, pohoi Dredha.
Por ndryshe nga sa deklaron kreu i bashkisë, problemi i fushës së mbetjeve në Vlorë prej muaj është bërë ngangrenë për të gjithë banorët.
Në muaj e fundit zjarri në këtë fushë mbetjesh ka rënë disa herë, ku nuk janë kursyer edhe turistët, pasi vitin e shkuar për ditë me radhë Vlora u mbulua nga tymi në muajin gusht.