Rruga e fshatit Mazhar, u ndërtua nga banorët apo nga Bashkia Selenicë?

Rruga e fshatit Mazhar, u ndërtua nga banorët apo nga Bashkia Selenicë?

Banorët fshatit Mazhar në Njësinë Administrative Kotë në Bashkinë Selenicë do të kenë një rrugë të re. Dikur gjysmë të izoluar, për shkak të rrugës tepër të amortizuar, pak banorë që kanë mbetur ende në këtë fshat do të lidhen me shpejt me fshatin Kotë, por edhe me qytetin e Vlorë apo do kursejnë kohë për të marrë shërbime të ndryshme në Bashkinë Selenicë.

Tashmë që rruga është përfunduar, edhe pse jo e standardeve më të mira, të gjithë vrapojnë për të marrë meritat. Kreu i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, së bashku me deputetin Vullnet Sinaj ende pa u tharë mirë betoni shkuan dhe vizituan rrugën e re.

Postimi i kreut të Bashkisë Selenicë

Në Mazhar të Lapardhasë së bashku me deputetin, Vullnet Sinaj inspektuam fillimin e punimeve për shtrimin me beton të një prej rrugëve kryesore të fshatit”, shkruan Bellaj në një postim në mediat sociale teksa publikon dhe disa foto duke inspektuar rrugën e re.

Kjo tashmë është bërë një situatë normale në Shqipëri, ku titullarët e institucioneve dhe deputetët nuk lënë rast dhe presin shiritin për nisjen dhe përfundimin e punimeve. Por a duhet t’i marrë meritat bashkia?

Gjurmon.al udhëtoi drejt fshatit Mazhar ku u takua me banorë të zonës, të cilët treguan një realitet tjetër. Sipas tyre bashkia ka ndërtuar vetëm një kilometër, ndërsa pjesa tjetër është ndërtuar me kontributet e tyre.

Një prej banorëve ne kushtet e anonimatit tregoi se bashkia ka ndërtuar vetëm një kilometër në hyrje të fshatit, ndërsa pjesa tjetër është ndërtuar fale kontributit financiar të tyre.

Ky fakt konfirmohet edhe nga një listë me kontribute e të gjithë banorëve të fshatit Mazhar e siguruar nga Gjurmon.al që tregon se pagesat e tyre nuk kanë qenë dhe aq modeste.