Plani për kthimin e rezidencave qeveritare në Vlorë në hotele luksoze të markave ndërkombëtare duket se nuk është më një plan, por tashmë qeveria ka vijuar me projektin, duke zgjedhur edhe kompanitë që do kryejnë punimet.
Korporata e Investimeve Shqiptare njoftoi listën e kompanive që kanë shprehur interes për zhvillimin e këtyre pronave shtetërore përmes një programi që qeveria ka nisur ta zbatojë në një sërë projektesh.
Për kontratën “Për rikonceptimin e rezidencave qeveritare në struktura akomodimi elitar, Vila Vlorë” pjesë e nënprojektit “Hospitality” kanë shfaqur interes pesë shoqëri nga të cilat janë kulaifikuar për fazën e dytë katër prej tyre:
1.Shoqëria “Blu Horizont 2005” shpk
2. Shoqëria “Soleil and Sea” shpk
3. Bashkimi i Subjekteve shoqëria “2A Group shpk”, “Practica Arquitectura y Urbanismo SLP”, “Barclay Crousse”, “Tharm Architects”, Brand Company “Sëiss Diamond Group SA”
4. Bashkimi i Subjekteve “Shoqëria Edil-Al-IT shpk & Zdrava shpk shpk”.
Por si do zhvillohen rezidencat në Vlorë?
Vilat qeveritare në Vlorë do të kthehen në hotele luksoze. Sipas dokumenteve të publikuara për këtë projekt theksohet se synohet të “transformojë këto rezidenca nga struktura të amortizuara dhe të pashfrytëzuara në qendra bashkëkohore të turizmit elitar dhe zhvillimit ekonomik. Duke ruajtur vlerat historike të përdorimit të këtyre pronave, rikonceptimi do të sjellë një harmoni mes së shkuarës dhe së ardhmes, duke i dhënë rëndësi jo vetëm inovacionit, por edhe ruajtjes së identitetit të tyre“.
Më tej sqarohet se “rezidencat qeveritare do të përfshijnë standardet më të larta të mikpritjes bashkëkohore, të mbështetura nga teknologjitë më të avancuara dhe dizajni bashkëkohor. Transformimi i tyre synon të krijojë një përvojë unike për turistët, investitorët dhe personalitetet VIP, duke i kthyer ato në modele të qëndrueshmërisë ekonomike dhe mjedisore”.
Zona ku do të zhvillohet projekti përfshin së pari rezidencën Qeveritare “Vila nr. 2” ku sipërfaqja ndërtesës 1126 m². Rezidencën Qeveritare “Vila nr.6” ku sipërfaqja ndërtesës është 332.48 m² dhe e treta rezidenca Qeveritare “Vila nr.9” me sipërfaqe të ndërtesës 186 m².
“Institucioni përfiton hapësira të reja që janë më funksionale, në kushtet e një hoteli butik e një standardi me 5 yje, ku personalitetet e larta shtetërore do të vazhdojnë të përfitojnë nga shërbimet që këto godina qeveritare do të ofrojnë, kushteve të përcaktuara në marrëveshjen mes Korporatës dhe DSHQ”, – thuhet në dokument, por ajo që nuk citohet është vlera e projektit dhe sa do i kushtojë kjo buxhetit të shtetit, përpara se të nis marrjen e përfitimeve.