Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, ka urdhëruar pezullimin e të gjitha punimeve në zonën turistike të qytetit dhe gjithë fshatrave përeth, si një masë për të ulur ndotjen e ajrit dhe ndotjen akustike gjatë sezonit veror.
Sipas urdhrit të firmosur nga titullari i bashkisë, bëhet me dije se nga 15 qershori deri më 15 shtator, nuk do të lejohen punimet edhe në ato objekte që është dhënë leje.
Më tej në shkresën e firmosur nga Tavo, bëhet me dije se subjektet ndërtuese duhet të sigurojnë rrethimin dhe mbulimin e objekteve me materiale estetike, për të krijuar një ambient të këndshëm për pushuesit vendas dhe të huaj.
Gjithashtu, ato janë të detyruara të rikthejnë në gjendjen e mëparshme zonat ku kanë ndërhyrë në rrjetet e ujësjellësit, rrugët dhe trotuarët.
Zbatimi i këtij urdhri do të monitorohet nga Drejtoria e Mbrojtjes së Territorit, Policia Bashkiake dhe Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.