“Sipas një postimi të një kompanie kosovare të quajtur Enea Resort, kanë filluar punimet për një hotel turistik në majën e malit Mile. Kjo zonë është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, zonë e mbrojtur si dhe zonë e shpallur Pasuri Botërore e UNESCO-s. A është ky një projekt i miratuar nga autoritetet shtetërore apo një përpjekje për të marrë leje në këtë zonë? Nuk ka asnjë informacion zyrtar. P.S. Sipas Kryetarit të Bashkisë Konispol, Bashkia nuk ka asnjë informacion dhe nuk ka asnjë dijeni për ndonjë leje në këtë zonë të mbrojtur.”
Auron Tare, i angazhuar në fushën e trashëgimisë kulturore, kërkimeve arkeologjike nënujore dhe menaxhimit të bregdetit e ka ngritur këtë si një problematike. Deri tani, nuk ka asnjë informacion zyrtar që vërteton nëse ky projekt është miratuar nga autoritetet shtetërore.
Ky zhvillim ka ngritur shqetësime mbi mundësinë e një përpjekjeje për të marrë leje për ndërtim në një zonë që ka statusin e një zone të mbrojtur nga ligji dhe nga organizmat ndërkombëtarë. Për momentin, mungesa e transparencës dhe e informacionit zyrtar ka lënë hapësirë për spekulime dhe shqetësime se ky mund të jetë një projekt që po kalon pa u verifikuar dhe pa miratimin e duhur.
Lulzim Behxheti, i prezantuar si përfaqësues i ENEA Resort është përfshirë në një shkëmbim komentesh në rrjetet sociale me Taren.
“Më vjen mirë kur projekteve të cilat shkatërrojnë pasurinë arkeologjike, natyrën, kulturën… i jepet vëmendje. Mirëpo, para se të bëhen publikime të tilla, të lutem, paisu me informacion të saktë. ENEA Resort nuk është në zonën e mbrojtur nga UNESCO, por është nga ana tjetër, pra në anën e kundërt. Ky resort parashihet të nxisë pikërisht vetëdijesimin për ruajtjen e pasurive trashëgimore. Bazuar në dokumentet zyrtare të UNESCO-s, resorti nuk gjendet as në zonën e tretë mbrojtëse, por jashtë saj.
Z. Auron Tare, të përgëzoj për angazhimin tënd për ruajtjen e trashëgimisë, por je gabim. Dhe përfundimisht, nuk është kompania kosovare, por finlandeze. Po publikoj hartën zyrtare të UNESCO-s ku shihet qartë se resorti është jashtë zonës mbrojtëse. Pos tjerash, ky resort planifikohet të ndërtohet i tëri nga druri i lameluar, Cross Laminated Timber, pra ne nuk dëmtojmë natyrën. Me gjithë dëshirë do të takohesha me ju dhe së bashku të bëjmë më të mirën për komunitetin dhe të shohim projektin. Gjithë të mirat.“, shkruan Behxheti.
Mbetet për tu parë se si do të vazhdojë historia e këtij resorti dhe nëse është pajisur apo kërkon të pajiset me lejet përkatëse shtetërore. Mali i Milës është një mal i njohur në Shqipëri, i vendosur në pjesën jugore të vendit, në afërsi të Sarandës dhe zonës së Parkut Kombëtar të Butrintit. Ky mal ka një rëndësi të veçantë natyrore dhe kulturore, pasi ndodhet në një rajon të mbrojtur që është shpallur Pasuri Botërore e UNESCO-s.