Përmbytjet në Vlorë, Dredha e pranon: Shkak edhe kanalet e ujërave të larta, do bëjmë ‘presion’ në qeveri për investime

Përmbytjet në Vlorë, Dredha e pranon: Shkak edhe kanalet e ujërave të larta, do bëjmë ‘presion’ në qeveri për investime

Kur kanë kaluar 40 ditë nga përmbytjet e 4 tetorit në Vlorë, autoritetet kanë pranuar se problem nuk ishin vetëm reshjet e shiut si kurrë më parë, por edhe infrastruktura. Kreu i Bashkisë së Vlorë, Ermal Dredha, në një intervistë për mediat pranon se  shkak i përmbytjeve ishin kanalet e ujërave të larta që nuk përballuan dot sasinë e reshjeve.

Ato reshje të 4 tetorit ishin të paimagjinueshme, 84 milimetër. Edhe sistemi i kanaleve të Vlorës për ujërat e larta nuk është në më të mirën e vet. Kapaciteti i tyre është më i vogël se sa sasia e reshjeve që ra më 4 tetor. Ne kemi filluar aksion në gjithë qytetin për pastrimin. Ne do të bëjmë presion në institucionet qendrore për ridimensionimin e kanaleve të larta”, pohoi Dredha duke pranuar problemin me kanalet e ujërave që pavarësisht aksionit të bashkisë vijojnë të jenë të pa pastruara.

Por fondet e bashkisë, nuk mjaftojnë as për dëmshpërblimin e familjeve dhe bizneseve të prekura nga përmbytjet. Për këtë shkak Dredha kërkon fonde shtesë pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

“Janë 365 familje që do të trajtohen për aq sa mund të mbulojmë nga buxheti i emergjencave në bashki, por kemi bërë kërkesë për shtesë fondesh sepse fatura është e lartë. Na kanë ndihmuar dhe bizneset, të cilat do të blejnë për të dëmtuarit pajisje elektroshtëpiake”, tha kreu i Bashkisë Vlorë.

Ai thekson se duhet investuar dhe në hidrovore pasi pompat janë të amortizuara dhe “hidrovori i ujësjellësit ka stopuar për shkak të mungesës së energjisë. Duhet investuar dhe atje për pompa të reja”.