Si çdo fillim muaji, pensionistët në Vlorë u dyndën drejt postës për të marrë pensionin e tyre. Pagesa e ulët që marrin i detyron të vrapojnë që në ditët e para të muajit, për të mbyllur faturat që kanë.
Por ndryshe nga herët e tjera këtë muaj u është dashur të presin me orë e orë të tëra para zyrave të postës, pasi energjia elektrike mungonte prej pasdites të së martës.
Mësohet se linja elektrike që furnizon me energji këtë zyrë është dëmtuar nga punimet që janë bërë në këtë zonë nga një kompani private, duke lënë në mëshirë të fatit dhjetëra pensionistë.
“Kemi që në 7 të mëngjesit këtu. Jemi të moshuar dhe askush nuk po merret me këtë problem”, pohoi një pensionist.
“Paratë kanë ardhur por s’ka drita, do iki të kthehem nesër, nuk rri dot më në radhë, u lodha”, thotë një tjetër e moshuar.
Mungesa e energjisë elektrike vijoi me orë të tëra dhe askush nuk u dha zgjidhje pensionistëve, të cilët janë detyruar të kthehen edhe sot në dyert e postë me shpresë se problemi është zgjidhur dhe do marrin pagesën që u takon.