Komiteti i Investimeve Strategjike i fal ish-kryetarit të bashkisë Vorë dhe vëllait të ish-deputetit socialist 77 mijë m2* në Lukovë

Komiteti i Investimeve Strategjike i fal ish-kryetarit të bashkisë Vorë dhe vëllait të ish-deputetit socialist 77 mijë m2* në Lukovë

Në bregdetin e Lukovës shumë shpejt pritet që të ndërtohet një resort i ri turistik. Komiteti i Investimeve Strategjike ka pranuar kërkesën e dy kompanive për t’u dhënë statusin e investitorit strategjik duke u falur 77 mijë metër katror tokë.

Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, dy kompani në pronësi të ish-kryebashkiakut të komanduar në Vorë, Hekuran Brahimaj dhe vëllait të ish-deputetit të PS, Turjan Hysko, do të marrin tokë shtetërore falas për të ndërtuar hotele dhe një fshat të madh turistik.

Projekti “Atara Resort & Villas” është krijuar nga kompanitë zhvilluese të këtij projekti janë Lukova Bayside Hotel & SPA sh.p.k si dhe TO 27 Construction.

Kompania e parë zotërohet nga dy aksionerë, Hekuran Brahimaj, ish-kryetari socialist i Bashkisë së Vorës i cili zotëron 65 të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër prej 35 për qind e aksioneve zotërohet nga Turjan Hysko, vëllai i ish deputetit socialist dhe kryetar i FRESSH, Eljo Hysko.

Ndërkohë, kompania TO 27 Construction zotërohen në masën 100 për qind nga Turjan Hysko, i cili është moderator dhe autor i disa emisioneve televizive.

50 milionë Euro investim

Vlera e investimit për projektin e propozuar parashikohet të jetë 50,000,000 Euro (pesëdhjetë milion) Euro dhe numri i të punësuarve parashikohet të jetë 200 (dyqind) punonjës”, citohet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

Më tej në vendim sqarohet se projekti prek një sipërfaqe prej 41,915 m2 në pronësi “private” të subjekteve aplikuese, gjithashtu një sipërfaqe prej 76,950 m2 në pronësi “shtet”. Ndërkohë, subjektet për një sipërfaqe prej 39,009 m2 janë në fazë negociatash me subjekte private.

Një pjesë e sipërfaqes së tokës së dhënë nga shteti janë “ullishte” dhe “pemtore”, ndaj kompanitë kanë premtuar se do t’i ruajnë të gjitha pemët.

Duke qenë se nga të dhënat e deritanishme kadastrale, rezulton se një pjesë e konsiderueshme e pronës “privat” dhe asaj “shtet” të jetë e destinacionit “ullishte” dhe “pemtore”, subjektet garantojnë ruajtjen e rrënjëve të ullinjve si pasuri kombëtare brenda gjurmës së projektit duke siguruar ruajtjen dhe përfshirjen e tyre si pjesë integrale e projektit”, sqarohet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

50 milionë Euro investim, kompani pa kapital

Të dy kompanitë zhvilluese të projektit të investimit strategjik janë pa aktivitet ekonomik dhe pa mjete financiare. Sipas të dhënave rezulton se kompania e parë Lukova Bayside Hotel & SPA sh.p.k ka një kapital total prej vetëm 355 mijë eurosh, ndërsa TO 27 Construction rezulton me kapital negativ prej 870 eurosh.

Pavarësisht këtij fakti, Komiteti i Investimeve Strategjike në vendim deklaron se investimi garantohet nga kompania tjetër e Hekuran Brahimajt, që është “Emante shpk”.

“Në bazë të kontratës me numër repertori 21834 dhe numër koleksioni 8946, ndërmjet shoqërive Lukova Bayside Hotel & Spa, TO27 Construction dhe shoqërisë Emante shpk, palët kanë rënë dakord që shoqëria Emante shpk do të jetë garantuese e financimit të projektit” thuhet në vendim.

Projekti i investimit është hartuar nga studio ndërkombëtare dhe parashikon ndërtimin e një resorti turistik lukzos, i cili do të realizohet në dy zona kryesore.

Sipas projektit në zonën 1 synon të zhvillohet një Hotel me 5 yje me ambjente shërbimi, ndërsa zona 2 përfshin zhvillimin e 4 hoteleve dhe një fshati turistik me vila të cilat do të shërbejnë si struktura akomoduese në Bashkinë Himarë.

Projekti përfshin të gjithë komponentët që i përkasin rreth 90% sektorit turizëm, si hotel, vilat në funksion të hotelit, ambiente shërbimi, bare e restorante, si dhe shërbime të tjera relaksi e rekreacioni.