“Jemi si në ishull”, banorët e fshatit Lezhan në Selenicës të izoluar prej një muaji e gjysmë pas shembjes së urës

“Jemi si në ishull”, banorët e fshatit Lezhan në Selenicës të izoluar prej një muaji e gjysmë pas shembjes së urës

Dhjetëra banorë të fshatit Lezhan në Bashkinë Selenicë prej më shumë se një muaji janë izoluar. Shkak nuk është dëbora dhe as nuk janë ngujuar nga gjakmarrja, por për shkak të shembjes së urës.

Ura që i lidhte me rrugën kryesore u shemb në mes të muajit dhjetor nga prurjet e mëdha të një përroi, mbi të cilin ishte ndërtuar që në vitin 1996. Tashmë lidhja me fshatrat e tjerë dhe me qytetin e Selenicës është thuasje e pamundur, pasi në ditë me reshje nuk kalojnë dot as në këmbë në lumin që ndan fshatin me zonat e tjera.

Na ka rënë ura ka një muaj e gjysmë, kanë ardhur ata të bashkisë, na kanë thënë do e tenderojnë, do e bëjnë, neve po presim. I biem ushqimet deri aty me ujë, me të tëra dhe i hedhim me këmbë. Gjendjen e shikoni vetë, një urë kërkojmë, nuk kërkojmë gjë të madhe. Sot aktualisht janë 7 a 8 shtëpi, po banorë ka më shumë. Pleqtë i kemi këtu se të rinjtë kanë ikur poshtë, fëmijët i kemi poshtë, veç i marrim njëherë në javë se s’ke ku i kalon. Ja aty kalojnë, vijnë të shtunë, të diel, që vijnë në fshat, se kemi marrë shtëpi me qira. Të sëmurët i marrim në krah, i kalojmë. Me këtë makinë i sjellim deri këtu e i kalojmë andej në krah“, shprehet një banor.

Fshati Lezhan ndodhet disa kilometra larg Selenicës dhe ka mbi 180 banesa, por  vetëm 12 prej tyre janë të banura. Banorët e zonës janë ankuar edhe në bashki, ku në përgjigje të shqetësimeve të tyre, Bashkia Selenicë ka verifikuar problemin dhe ka informuar banorët se do të nisë procedurat për një tender, por vetë banorët druhen se kjo do ta vonojë edhe më tej zgjidhjen e problemit të tyre, që ata e konsiderojnë urgjent.

Banorët e Lezhanit kërkojnë që procedurat të mos zvarriten dhe punimet për rindërtimin e urës të nisin sa më parë, në mënyrë që kjo zonë e izoluar të kthehet në normalitet.