Ky lajm i mrekullueshëm nuk kishte nga të vinte tjetër, veçse nga laguna e Nartës, në të cilën flamingot kishin vite që tentonin të folezonin. Gjatë monitorimit të kolonisë së tyre u vu re që 281 foletë e regjistruara kishin vezë, të cilat pritet të çelin së shpejti.
Çelja e flamingove të vegjël në Nartë do të thotë se territori shqiptar nuk e ka këtë lloj vetëm si vizitor nga vendet e tjera, por kontribuon në qëndrueshmërinë e kësaj popullate në Shqipëri dhe Evropë, në rast se sigurohet mbarëvajtja e folezimit çdo vit.
Fatkeqësisht, çelja e parë e vezëve të flamingove në Shqipëri do të ndodhë në të njëjtin vit kur në habitatin e tyre u krye fluturimi testues i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës nga qeveria shqiptare. Ai test i vetëm me një avion të vogël tregoi sesa tragjike do të jetë e ardhmja e popullatës së flamingove në deltën e Vjosës, nëse aeroporti nis të operojë rregullisht.
Flamingo është lloji më i ri që i shtohet listës së shpendëve folezues në Shqipëri, por ky sukses, i nxitur edhe nga puna konservuese e vendeve fqinje ku flamingo folezon, rrezikon të zhbëhet shumë shpejt nga fluturimi i avionëve mbi lagunë dhe tjetërësimi i Vjosë-Nartës nga zhvillimi i paqëndrueshëm.
Shkrim i botuar nga PPNEA në Facebook