Një sipërfaqe toke prej 21 979 metër katror do të hiqet nga fondi kullosor në Bashkinë Himarë dhe do të jetë gati për të pritur fadromët për të ndërtuar resort turistik. Këshilli i Ministrave vendosi të kalojë këtë sipërfaqe toke për një projekt strategjik në bregdetin e Jugut nga kompania “White Roads Hotel” në pronësi të kompanisë “Gjikuria”.
Sipas vendimit të qeverisë parashikohet ndryshimi i destinacionit, nga kategoria e përdorimit të zërit kadastral “kullotë” në zërin kadastral “truall”.
“Vlerat përkatëse të produkteve kullosore, në sipërfaqen objekt ndërtimi, paguhen nga shoqëria “White Roads Hotel”, sh.p.k., në llogarinë rrjedhëse të Bashkisë Himarë, sipas përcaktimeve në raportin tekniko-ekonomik, bazuar në tarifat e vendimit nr.559, datë 29.7.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e çmimeve dhe tarifave për dhënien në shfrytëzim / përdorim të fondit kullosor kombëtar për veprimtari ekonomike, si dhe për prodhimet drusore dhe jodrusore”, thuhet në vendimin e Këshillit të ministrave.
Më tej citohet se me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “White Roads Hotel”, sh.p.k., detyrohet të rehabilitojë sipërfaqen kullosore, për shkak të ndryshimit të destinacionit të përdorimit të fondit kullosor.
Bashkia e kishte miratuar më herët
Dhënia e kësaj sipërfaqeje u miratua më herët në këshillin bashkiak të Himarës, i cili u mblodh në një ‘mbledhje të jashtëzakonshme’ në muajin gusht, 8 ditë pas zgjedhjes së kryebashkiakut të ri socialist Vangjel Tavo.
Kjo mbledhje u mbajt në mënyrë të njëanshme, pasi anëtarët e opozitës nuk ishin të pranishëm në mbledhje dhe kundërshtuan tjetërsimin e sipërfaqes së tokës me pretendimet për paqartësi për pronësinë e saj dhe mungesën e dëgjesave publike.
VKM e qeverisë detyron institucionet shtetërore të zbatojnë këtë kalim të pronës publike në favor të investimit privat. Bashkisë Himarë i lihet detyrë ndryshimi i destinacionit të kësaj toke publike në regjistrin kadastral, çregjistrimin e saj nga kategoria “kullotë” të sipërfaqes kullosore publike dhe regjistrimin si “truall”, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Projekti strategjik
Projekti “White Roads Hotel” është miratuar si investim strategjik në vitin 2022, duke përfituar si masë mbështetëse edhe 9100 metra katrorë tokë shtet me qira 1 euro, pasi kjo pronë u hoq më herët nga fondi kullosor i zonës.
Më vonë “White Roads Hotel” i kërkoi Komitetit të Investimeve Strategjike, KIS, një sipërfaqe shtesë prej 21 mijë e 900 metrash tokë shtet, duke e arsyetuar këtë me një kontratë me brandin ndërkombëtar Hyatt International LLC.
“Projekti parashikon ndërtimin e një hoteli me 190 dhoma, njësi për biznes & evente, sera me lule, ambiente sportive, hapësira për fëmijë, SPA, beach bar, kazino dhe njësi të tjera shërbimi”, thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike. Sipas të dhënave mësohet se ky projekt parashikon një investim prej më shumë se 21 milionë eurosh.