Një ndër monumentet më të lashta dhe të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, Shpella e Spilesë, e njohur ndryshe si “Shpella e Odiseut”, po përjeton një akt të pashembullt vandalizmi dhe tjetërsimi brutal në sy të institucioneve vendore dhe kombëtare.
Në mënyrë të paligjshme, familje të lidhura me mbiemrin Dhimojani, të cilat dikur banonin në kalanë e Himarës raportohet se kanë nisur punime ndërtimore në zonën e mbrojtur të shpellës. Me mbetje inerte, rërë, beton dhe mure të ndërtuara ilegalisht, hyrja e shpellës është bllokuar, ndërsa punimet kanë depërtuar tashmë edhe në thellësi të saj – në zona ku ndodhen artefakte arkeologjike të rralla dhe dëshmi të jetës parahistorike, antike dhe mesjetare, raporton Albanian Historical Society.
Kjo shpellë e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë që në vitin 1963 nga Universiteti Shtetëror i Tiranës dhe më pas në vitin 1973 nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, përfaqëson një pasuri unike të trashëgimisë shqiptare dhe mesdhetare. Zbulimet arkeologjike të bëra nga ekspedita shqiptaro-angleze në vitet 2002-2003 e datojnë përdorimin e shpellës që në periudhën mezolitike, duke dokumentuar shtresa të shumta kulturore, kontaktet e hershme të Himarës me qendrat mesdhetare dhe prova të jetës njerëzore përpara më shumë se 7 shekuj para Krishtit.
Megjithatë, në vend që ky monument të mbrohej, po shkatërrohet çdo ditë, përmes veprimeve të cilat qytetarët e Himarës i kanë quajtur pa hezitim “akte terrorizmi kulturor”. Tabelat zyrtare që e shpallin zonën si objekt të mbrojtur janë fshirë ose mbuluar nga bimësia, ndërsa shpellës i është ndaluar aksesimi, pasi një pjesë e saj është shndërruar në parking privat.
Ditët e fundit, qytetarë të alarmuar kanë penguar fizikisht shkarkimin e kamionëve me materiale ndërtimore, duke denoncuar publikisht tjetërsimin e monumentit.
Institucionet që duhet të ndërhyjnë – nga Ministria e Kulturës, Instituti i Trashëgimisë Kulturore, Policia e Shtetit, deri tek Akademia e Shkencave – nuk kanë dhënë asnjë reagim publik. As Bashkia e Himarës, e cila ka pranuar disa ankesa zyrtare nga banorët, nuk ka ndërmarrë masa për të ndalur këtë krim kulturor.
Ndërkohë, historia e shpellës mbetet pjesë e identitetit kombëtar. Aktori me famë botërore Bekim Fehmiu, i njohur si “Uliksi shqiptar”, e kishte vizituar shpellën me devotshmëri në fund të viteve ’80, duke e konsideruar atë një përvojë të veçantë të lidhur me rolin e tij të përjetshëm në filmin hollivudian “Odiseu”.