Një fenomen shqetësues është vërejtur ditët e fundit në bregdetin e Vlorës. Dhjetëra shpendë uji janë gjetur të ngordhura në grykëderdhjen e Vjosës dhe në Lagunën e Nartës dhe në zonën e Plazhit të Vjetër, duke ngritur kështu alarmin edhe për Shërbimin Veterinar të Vlorës.
Pamjet tregojnë për një situatë tepër shqetësuese, pasi janë me qindra shpendë të ngordhura në një sipërfaqe të madhe rëre dhe nuk dihet nëse kanë ngordhur brenda një dite apo në ditë të ndryshme.
Për hetuar ngjarjen kanë ngritur tre grupe specialistësh veterinerë, të cilët mblodhën shpendët e ngordhur dhe morën mostra për të analizuar shkakun e ngordhjes së tyre.
Specialistët e Shërbimit Veterinar hedhin dyshimet për praninë e gripit të shpendëve, por analizat më të thelluara do të japin një përgjigje të saktë për shkakun e ngordhjes së tyre.
“Sapo morëm sinjalizimin nga banorët e zonës përreth ne si drejtori e veterinarisë ngritëm grupe kontrolli për të monitoruar gjendjen. Ne dyshojmë për gripin e shpendëve, por ne morëm mostra dhe do ti dërgojmë për verifikim dhe përgjigjja vjen 3 ose 4 ditësh. Këto që janë gjetur të ngordhura janë shpendë të egra, shpendë uji.
Tek shpendët e egra, gripi i shpendëve është në gjendje të fshehur, por tek shpendët e shtëpisë shfaqet në formë epidemie. Urojmë të mos jetë gripi i shpendëve, tek njerëzit nuk është shfaqur, s’kemi pasur raste të tilla në vendin tonë. Për këtë sëmundje nuk ka vaksinim”, pohoi Demir Dervishaj, një prej anëtarëve të grupit të kontrollit.
Sipas ekspertit veterinar, nuk ka shqetësim për përhapjen e gripit tek njerëzit, pasi ai shpjegon se kurrë më parë nuk ka pasur raste të tilla. Pas inspektimit në terren, mostrat janë dërguar në Institutin e Sigurisë Ushqimore në Tiranë dhe gjatë kësaj jave pritet të dalin rezultatet e analizave.