Bashkia Vlorë “nuk e vë ujin në zjarr”, pusetat vijojnë të jenë pa kapak

Bashkia Vlorë “nuk e vë ujin në zjarr”, pusetat vijojnë të jenë pa kapak

Pusetat në rrugën hyrëse të qytetit të Vlorës vijojnë të jenë pa kapak. Situata është e njëjtë prej disa muajsh, pavarësisht shqetësimit të banorëve.

Gjurmon.al e ka raportuar këtë problem disa javë më parë, ku dukej qartë se pothuajse të gjitha pusetat në këtë segment rrugor ishin pa kapak, e të mbushura me mbetje.

Por pavarësisht ngritjes së këtij shqetësimi, ku banorët treguan se kishin kërkuar zgjidhjen e problemit, situata duket e njëjtë edhe sot. Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë zonë, pusetat vijojnë të jenë pa kapak, e në horizont nuk duket se ka një zgjidhje.

Pak ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Vlorë, u ngrit një tjetër shqetësim i ngjashëm, mungesa e tabelave në qytet, e zyrtarë të bashkisë teksa ngritën supet kur iu kërkua zgjidhje fajin e vendosën te qytetarët, pasi sipas tyre janë ata që vjedhin sinjalistikën vertikale në qytet.

Edhe me këtë problem duket se zgjidhja do të jetë e njëjtë, hedhja e fajit te qytetarët që mund t’i kenë vjedhur kapakët metalik të pusetave, e nuk do flitet për zgjidhje.