“Bashkia nuk i ka fondet”: Një muaj nga përmbytja e qytetit, banorët e Vlorës ende pa u dëmshpërblyer

“Bashkia nuk i ka fondet”: Një muaj nga përmbytja e qytetit, banorët e Vlorës ende pa u dëmshpërblyer

Vlora dita-ditës po i kthehet normalitetit pas përmbytjeve në fillim të muajit tetor. Bashkia Vlorë ndërmori një aksion pastrimi gjatë fundjavës së shkuar, por pasojat ende janë të mëdha.

Shumë qytetarë dhe biznese ankohen se përveç premtimeve se do të dëmshpërblehen nuk kanë marrë asgjë tjetër.

Sipas Adrian Vreshtazit, Drejtorit të Emergjencave Civile në Bashkinë Vlorë, fondet janë të pamjaftueshme për t’u dëmshpërblyer të gjitha dëmet.

Bashkia e Vlorës ka një fond për dëmshpërblimet nga fatkeqësitë natyrore dhe ky fond është 17 milion lekë , ndërkohë qe nga llogaritjet për dëmshpërblim të dëmeve duhet rreth 60 milion lekë të reja, të cilat do të merren nga qeveria, ndërkohë që deri në miratimin e fondeve për të shkuar në ndihmë të banorëve duhen 2 muaj”, tha Vreshtazi në një deklaratë për mediat.

Nga ana tjetër, Prefekti i Qarkut të Vlorës, Kristo Kiço, bashkia nuk i ka të gjitha fondet. “Për të dëmshpërblyer familjarët ne si prefekturë jemi në tratativa me qeverinë. Ne si prefekturë duhet të bëjmë punën për të rregulluar kanalet e ujërave të larta pastrimeve por dhe prishjen e ndërtimeve pa leje”, tha Kiço për mediat.

Ndërkohë për vetë banorët e Vlorës, premtimet duken të largëta, pasi ende ankohen se nuk u kanë shkuar as për t’u vlerësuar dëmet. Kur është mbushur një muaj nga përmbytjet, shpresa për të rikuperuar dëmet dhe marrë dëmshpërblimet e premtuara është e vetmja që iu ka mbetur banorëve të Vlorës.