Bashkia Himarë nis punën për rehabilitimin e rrugës në Vranisht pak javë para zgjedhjeve

Bashkia Himarë nis punën për rehabilitimin e rrugës në Vranisht pak javë para zgjedhjeve

Gati 50 kilometra larg qytetit të Vlorës, po kaq edhe larg Himarës, ndodhet fshati Vranisht. I njohur si fshati i heronjve, Vranishti nuk ndodhet në rrugën kryesore të ndërtuar së fundmi Vlorë – Kuç – Qeparo, por pak kilometra larg këtij segmenti.

I mbetur i veçuar pas rehabilitimit të këtij segmenti, në Vranisht vijoi braktisja, por sërish ky fshat qëndron të mbajë mbiemrin “i madh”.

Premtime për rehabilitimin e pak kilometrave rrugë që lidhin Vranishtin me rrugën kryesore ka pasur plot herë, por kurrë nuk ka pasur projekte konkrete. Kjo detyroi banorët që më shumë se një vit më parë të ndërtonin rrugën me paratë e tyre duke mos pritur nga bashkia.

Por së fundmi, pak javë para zgjedhjeve Bashkia Himarë ka nisur punimet për rehabilitimin e rrugës së këtij fshati.

Në hyrje të fshatit ku shquhet prej së largu një tabelë “Vranisht”, ndodhet dhe një tabelë e re shtuar së fundmi që informon se po ndërhyhet për të rregulluar rrugën.

Punimet e nisura këtë pranverë pritet që të përfundojnë pas një viti, pasi këtë afat ka vendosur dhe Bashkia Himarë për inaugurimin e rrugës së re. Tenderi për punimet është fituar nga bashkimi i dy kompani “B.O.E APIS CONSTRUCTION sh.p.k” dhe Fusha sh.p.k”.