Banorët e fshatrave të lumit Shushica, i njohur edhe si lumi i Vlorës, në një takim që kanë zhvilluar në fshatin Kuç kanë vendosur që të mos pranojnë vendimin e autoriteteve për devijimin e rrjedhës së lumit.
Vetë banorët kanë publikuar një video në mediat sociale, së bashku me një mesazh ku pohojnë se nuk pranojnë që të tjetërsohet pasuria natyrore.
“Labëria për mbrojtjen e Lumit “Shushica”. Komuniteti i zonës së Labërisë Vlorë në këtë organizim në fshatin Kuç të Labërisë vendosën të kundërshtojnë vendimin e Kryeministrit për devijimin e Lumit Shushica pasi është pasuri natyrore për jete e mot për banoret e Labërisë e nuk është pronë e Kryeministrit pushtetar kalimtar që vendos devijimin e këtij lumi për të furnizuar shokët, kushërinjtë, miqtë, ministrat e oligarkët e tij në bregdetin e Himarës kundër interesit si dhe kundër këtij vendimi të banorëve të kësaj zone me përparësi zhvillimin e argotizmit për një zhvillim të qëndrueshëm dhe rikthim në trojet e veta të gjithë emigrantëve të zonës”, është ky mesazhi banorëve.
Banorët kanë zhvilluar edhe një takim tjetër, ku kishin thirrur të gjitha palët e interesuara të projektit, duke përfshirë: Bashkinë Himarë, Bashkia Selenicë, Agjenicinë Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Bankë Gjermane për Zhvillim (KFË) dhe Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim, ku përveç bashkisë Selenicë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit si zbatues i projektit, asnjë nga palët e tjera nuk u paraqitën në takim.
Ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit ishte prezent në takim, nuk u prononcua në lidhje me planet për vijimin e punimeve e as nuk iu përgjigj pyetjeve të banorëve.