Zgjedhjet e 11 majit, nis vulosja dhe paketimi i fletëve të votimit për diasporën

Zgjedhjet e 11 majit, nis vulosja dhe paketimi i fletëve të votimit për diasporën

Shqiptarët nga e gjitha bota dhe që kanë shprehur interesin për të votuar në 11 maj, brenda pak ditësh do të kenë në duar fletën e votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur nga Parku Olimpik vulosjen dhe paketimin në zarfe të fletëve të votimit, që do të dërgohen me postë të shpejtë në katër anët e botës.

Sipas KQZ, pritet që vulosja të mbyllet deri nesër për 245 953 fletë dhe të bëhet futja e tyre në zarf dhe dërgimi pritet të nisë në fund të kësaj jave.

Ky proces po ndiqet edhe nga përfaqësues të partive politike, por edhe qytetarët mund ta ndjekin gjatë gjithë kohës, pasi KQZ po e monitoron me kamera gjatë gjithë kohës.

Sipas akteve nën ligjore të miratua nga Komisioni Rregullator, postieri do të shkojë deri në 3 herë në adresën e dhënë nga çdo shqiptarë dhe duhet që zarfi t’i dorëzohet personalisht çdo votuesi.

Nëse nuk e gjen votuesin, do të lërë një shënim për t’i kërkuar atij të shkojë brenda 3 ditësh të tërheqë zarfin në pikën më të afërt postare.

Nëse zgjedhësi nuk shkon ta tërheqë, zarfi kthehet në Shqipëri. Pasi e plotësojnë fletën e votimit, zgjedhësit nga diaspora duhet të telefonojnë korrierin e tyre dhe ai do të vijë ta marrë zarfin në shtëpi, në një orar të dakordësuar nga të dy. Zarfi duhet të dërgohet në kohën e duhur pasi nëse mbërrin përtej orës 19:00 të datës 11 maj në Shqipëri, nuk do të lexohet.