Vodica e braktisur nga banorët, rrezikon të mbetet edhe pa urë

Vodica e braktisur nga banorët, rrezikon të mbetet edhe pa urë

Fshati Vodicë në Bashkisë së Selenicës është duke u shpopulluar. Përveç faktorëve ekonomikë dhe emigrimi masiv, ura që lidh fshatin me pjesën tjetër të bashkisë duket se është shkaku kryesor që banorët po e braktisin vendin e tyre.

Dikur fshati ka patur 180 banorë, ndërsa sot jetojnë rreth 50 banorë, kjo për shkak se ura pasarelë e ndërtuar që në kohën e komunizmit, dita-ditës po shkatërrohet. Prej vitesh kjo urë është amortizuar, por investimi nga autoritetet ka munguar.

Banorët herë pas here janë kujdesur vetë për të riparuar këtë urë, por duket se dëmet këtë herë janë shumë më të mëdha dhe duhet dora e shtetit për të restauruar të vetmen rrugë lidhëse të banorëve të Vodicës me fshatrat e tjetër të lumit Shushica.

Kavot mbajtëse të urës janë ndryshkur nga koha, pjesa poshtë  llamarinat po ashtu, dërrasat e kalbura janë rreziku i përditshëm i banorëve. “Kështu ka mbi 15 vjet, por ne vazhdojmë dhe kalojmë duke rrezikuar jetën”, kështu thotë një banor i Vodicës, i cili edhe pse është i vetëdijshëm për rrezikun kalon me automjet për të shkuar në banesën e tij.

Nuk kemi çfarë të bëjmë, është e vetmja rrugë që kemi. Presin që shteti të vë dorë për këtë urë, por askush nuk është kujtuar për ne”, thotë për Gjurmon.al që tjetër banor i fshatit.

Fshati po braktiset

Ura pasarelë është ndërtuar në vitin 1976 nga një banor i cili nuk ka qenë specialist dhe e ka bërë në mënyrë amatore, dhe banorët ankohen se nuk është vënë dorë fare për rregullimin e saj.

Fillimisht kjo urë pasarelë është ndërtuar me qëllimin e kalimit të këmbësorëve dhe kafshëve të punës dhe ka pasur një gjerësi prej 120 cm. Diku nga vitet 1992-1993 ura u zgjerua  në 180 cm për të bërë të mundur dhe kalimin e makinave të vogla. Banorët thonë se këto i kanë bërë vetë dhe mirëmbajtjen po ashtu.