Prej më shumë se 10 vitesh shumica e lëvizjes së automjeteve nga Vlora në drejtim të Fierit e më tej kryhet nga autostrada e cila ka shkurtuar distancën. Pavarësisht se rruga e vjetër është restauruar vitet e fundit, sërish shumica e drejtuesve të mjeteve preferojnë kalimin nga autostrada.
Shtimi i lëvizjes së mjeteve, me turizmin që po merr hov, përveç të mirave sjell dhe pasoja negative. Përgjatë autostradës shumë biznese po lulëzojnë, por në disa pjesë të saj ndotja është alarmante.
Xhepat e autostradës ku drejtuesit e mjeteve ndalin dhe zgjedhin të pushojnë për disa minuta, përgjatë rrugës së tyre, janë kthyer në vendgrumbullime mbetjesh.
Siç mund të shihet edhe nga pamjet që ju sjell Gjurmon.al, situata është alarmante. Qese plastike janë hedhur kudo, duket se çdo kush që ndalon për të pushuar apo konsumuar diçka mbeturinat i lë në vend.
Në disa prej xhepave përgjatë autostradës janë vendosur dhe kosha të vegjël, por në shumicën e tyre mungojnë. Kjo situatë me ndotjen është në të dy krahët e autostradës dhe prej muajsh askush nuk po kujtohet për t’i pastruar.