Kanalet kulluese në qytetin e Vlorës vijojnë të jenë në gjendje të mjerueshme. Plehra të hedhura kudo, pemë që kanë zënë rrënjë prej vitesh, betonizim që bllokon kalimin normal të ujërave dhe banesa të ndërtuara mbi to, ky është kjo panorama që vjen nga kanali kullues që kalon mes përmes qytetin dhe me pas ujërat e grumbulluara prej tij derdhen në det në nisje të Lungomares.
Ky është një prej kanaleve që nis që nga Kanina dhe përshkon lagje të tëra të Vlorës, ku bashkë me ujërat e pastra bashkohen dhe ujërat e zeza, që siç mund të shihet nga pamjet derdhen lirisht në të.
Gjurmon.al ka ndjekur të gjithë trajektoret që përshkuan ky kanal kullues dhe situata është e njëjtë kudo, plehra të hedhura pa kriter që bllokojnë rrjedhën e ujit dhe ujëra të zeza që derdhen nga familjet dhe bizneset anash tij.
Teksa kanalet vijojnë të jenë të bllokuara edhe qyteti i Vlorës po vuan sa herë reshjet janë të intensitetit mesatar. Vlora prej tetorit të vitit të shkuar, ku situata ishte apokaliptike, është përmbytur disa herë dhe siç shihet premtimi për pastrimin e kanaleve nuk është mbajtur nga autoritetet.