VIDEO – Vlora dhe problemi i fushës së mbetjeve: Një pasqyrë negative për turizmin

VIDEO – Vlora dhe problemi i fushës së mbetjeve: Një pasqyrë negative për turizmin

Fusha e mbetjeve në qytetin e Vlorës ka qenë dhe mbetet një problem i pandryshuar për vitë të tëra. Ky vend-depozitim është kthyer në një qendër të vazhdueshme djegieje, duke shkaktuar ndotje të ajrit dhe për pasojë ndikim negativ në mjedis. Gjatë viteve të fundit, zjarret kanë shpërthyer disa herë, duke përkeqësuar gjendjen tashmë të rënduar dhe duke dëmtuar edhe më shumë imazhin e qytetit.

Me fillimin e sezonit turistik dhe fluksin e vizitorëve, ky problem merr më shumë vëmendje. Ndotja e ajrit, shija e keqe dhe pamja e papërshtatshme janë pengesa të mëdha për zhvillimin e turizmit, që është një nga burimet kryesore të të ardhurave për qytetin.

Gjurmon.al kreu një vëzhgim në fushën e mbetjve në Vlorë dhe situata është dramatike me mbetje të patrajtuara në qiell të hapur. Fusha e mbetjeve dalëngadalë po kthehet në një “mal” mbetjesh nga më të ndryshme urbane. Pyetja që ngrihet tashmë është se cfarë do të ndodhë me këtë fushë-grumbullim mbetjesh me hapjen e Landfillit të Sherishtës.

Le ta shohim pak problemin më në retrospektivë. Ky është një imazh satelitor i vitit 2004 ku duket se ka filluar hedhja e mbetjeve apo bazave.

Më pas, në vitin 2021 kjo fushë ishte një vend tashmë ku hidheshin prej vitesh rregullisht mbetjet e qytetit të Vlorës.

Këto imazhe satelitore të Prillit të këtij viti tregojnë se pothuajse e gjithë fusha është e mbushur me mbeturina.

Mbetet për tu parë se si do ta ketë fatin kjo fushë mbetjesh që është kthyer në një problem madhor për Vlorën dhe banorët e lagjeve përreth.