VIDEO – Vandalizohet lapidari në Tërbaç, harrohet ceremonia që kujtoi krijimin e Brigatës V Sulmuese

VIDEO – Vandalizohet lapidari në Tërbaç, harrohet ceremonia që kujtoi krijimin e Brigatës V Sulmuese

Në 21 janar, zyrtarë të lartë të Bashkisë Himarë, Bashkisë Vlorë, Prefekturës së Vlorës dhe banorë të fshatit Tërbaç, kujtuan 81-vjetorin e krijimit të Brigatës së Pestë Sulmuese dhe heronjtë që kanë rënë gjatë luftës nacional çlirimtare.

Me kurora me lule në duar, zyrtarët e lartë parakaluan njëri pas tjetrit për të nderuar heronjtë e shekullit të shkuar. Ceremonia përkujtimore u reklamua edhe në mediat sociale, ku Bashkia Himarë po në këtë datë njoftoi se heronjtë ishin kujtuar edhe për këtë vit.

Me rastin e 81-vjetorit të krijimit të Brigadës së V Sulmuese, Bashkia Himarë, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve dhe Pasardhësve të Njësisë Hor-Vranisht, organizoi një ceremoni përkujtimore pranë varrezave të dëshmorëve në Tërbaç.

Aktiviteti nderoi sakrificat e dëshmorëve për lirinë e atdheut dhe mblodhi figura të shquara si Kryetari i Bashkisë Vlorë, z. Ermal Dredha, Prefekti i Qarkut Vlorë, z. Plator Nesturi, Nënkryetari i Bashkisë Himarë, z. Pervin Gjukuria, përfaqësues të komunitetit dhe familjarë të dëshmorëve.

Homazhet dhe vendosja e kurorave me lule rikthyen vëmendjen te heroizmi i Brigadës së V Sulmuese, duke theksuar rëndësinë e kujtesës historike dhe përçimin e vlerave kombëtare brezave të ardhshëm”, shkruhet në postimin e Bashkisë Himarë në mediat sociale, ku bashkë me të janë botuar edhe disa fotografi.

Gjurmon.al udhëtoi drejt Tërbaçit gjatë fundjavës ku ndalesën e parë e bëri në lapidarin që qëndron krenar buzë rrugës që tashmë pret e përcjell me mijëra turistë në vit.

Ndryshe nga sa ishte reklamuar në mediat sociale, ajo çfarë kishte mbetur pas ceremonisë është për të ardhur keq. Kurorat me lule nuk ishin më poshtë emrave të të rënëve, por hedhur shkujdesur sa në një cep në tjetrin.

Lulet e sjella nga qytetarët ishin ngrënë nga bagëtitë dhe shiriti që tregonte se edhe kryetari i bashkisë kishte dërguar një kurorë me lule ishte hedhur diku larg.

Nuk dihet se kush e ka vandalizuar këtë lapidar, por situata flet qartë se historia nuk po respektohet ashtu siç duhet, ku as bashkia nuk ishte kujdesur për të pastruar rrëmujën e krijuar.