Fundjavë. Dita plot diell. Temperaturat në mesditë shkuan gati 30 gradë celsius. Qytetarë vendas e turistë të huaj kishin nisur plazhin. Shezlongët dhe rojet në breg të detit mungonin, por turistët kishin zgjedhur që të rrinin në rërë për të shijuar diellin.
Qyteti ndërkohë dukej plot me turistë, duke treguar se sezoni pavarësisht se nuk është hapur zyrtarisht ka nisur. Por teksa turistët çdo javë po shtohen, duket se autoritetet nuk kanë marrë masat e duhura për të qenë gati për një sezon turistik. Trafiku në hyrje të qytetit tregon se çfarë i pret turistët sapo vijnë në Vlorë.
Teksa çan trafikun përballesh me rrugët që ende kanë kanale në mes, pasi punimet për ujësjellësin e ri të qytetit nuk kanë përfunduar. E kur shkon në breg të detit përballesh me një panoramë jo shumë të këndshme, pasi ujërat e ndotura derdhen në det.
Këto pamje janë xhiruar në Lungomare, ku duket qartë se ujërat e ndotura derdhen në det çdo ditë, prej vitesh me radhë. I njëjtë me këtë kanal janë dhe disa të tjerë përgjatë shëtitore Lungomare, ku pavarësisht investimeve nuk është zgjidhur situata me ndotjen e detit.