Trafiku në fundjavë në Vlorë ishte sërish i rënduar. Në Rrugën Transballkanike lëvizej me shumë vështirësi, ku për të përshkuar të gjithë këtë segment duheshin gati 30 minuta.
Ky segment vijon prej javësh të bllokohet nga punimet që po kryhen për vendosjen e barrierave në mes të rrugës, për të disiplinuar kalimin e këmbësorëve. Por ky nuk është i vetmi problem, pasi rëndimi i trafikut sipas ekspertëve vjen edhe për shkak të parkimit pa kriter, bllokimit të rrugëve nga punimet që po kryhen, por edhe nga mungesa e semaforëve.
Teksa problemi i trafikut është i dukshëm, Vlora prej kohësh vuan dhe për mungesën e parkimeve. Deri më tani vendet e qëndrimit të mjeteve janë pa lekë, por bashkia ka miratuar një vendim për bërjen me pagesë të tyre.
Pavarësisht se kanë kaluar disa muaj që nga miratimi i këtij vendimi në Këshillin Bashkiak, ende në asnjë prej rrugëve nuk paguhet për të parkuar. Banorët e qytetit ankohen se shumë vende parkimi bllokohen nga tregtarë mjetesh si dhe nga mjete të braktisura.
Në këto kushte vetë banorët detyrohen që të parkojnë në vende që nuk lejohet, duke ngushtuar rrugicat, por edhe në trotuare. Nga ana tjetër disa banorë i thanë Gjurmon.al se presin përgjigje nga bashkia se kur do të nis zbatimi i marrëveshjes për bërjen e parkimeve me pagesë.