Problemi në fushën e mbetjeve në Vlorë duket se do të vijojë gjatë. Flakët kanë qenë prezente edhe gjatë ditëve të fundit, ku këtë herë vatra ka qëndruar e ndezur për 5 ditë me radhë.
Gjurmon.al udhëtoi drejt Vlorës për të parë nga afër problemin, që nuk po gjen zgjidhje pavarësisht se situata po përsëritet çdo javë.
Lagjia “24 Maji”, sipas banorëve që jetojnë aty është bërë e pabanueshme për shkak të tymit kancerogjen që përhapet në atmosferë nga djegia e mbetjeve ku në shumicë janë plastikë.
Vatra e zjarrit këtë herë ka qenë e dukshme që prej së largu, ku në disa momente tymi përhapej mbi të gjithë zonën, pasi edhe flakët nuk ishin vetëm në një vend.
Por përveç problemit të djegies së mbetjeve, duket se shqetësim është edhe rruga që të dërgon në këtë zonë, e cila është e amortizuar dhe vështirëson punën forcave zjarrfikëse.
Sipas informacioneve të deritanishme, edhe këtë herë dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme, por autorët ende nuk janë vënë para përgjegjësisë.
Fusha e vendgrumbullimit të mbeturinave është kthyer në një gangrenë të vërtetë për qytetin, me vatra aktive zjarri që ndodhin aty çdo 24 orë.
Gjithashtu sipas informacioneve nga zjarrfikësja e Vlorës çdo ditë numërohet të paktën mesatarisht një ndërhyrje për shuarje zjarri në fushën e vendgrumbullimit të mbetjeve.