VIDEO – Sahatit i ngecin akrepat, Vlorës i ka mbetur ora 11 e një çerek

VIDEO – Sahatit i ngecin akrepat, Vlorës i ka mbetur ora 11 e një çerek

Sahati në shumë qytete është simbol dhe pikë referimi për banorët vendas dhe turistët. Zona rreth tij njihet prej të gjithëve si “sahati”, ku plot takime janë lënë në këtë vend duke pasur ndërmend këtë simbol të qytetit.

Por duket se tashmë koha ka ndaluar për sahatin e Vlorës, akrepat prej kohësh qëndrojnë statik dhe asgjë nuk i lëviz.

Pak muaj më parë përfundoi gjithë restaurimi i zonës, që njihet si Vlora historike. Restaurimi i banesave filloi që nga Sheshi i Flamurit dhe përfundoi në godinën ku ndodhet sahati i qytetit. Por përveç pllakave dhe suvatimeve të bizneseve rreth tij, sahati i Vlorës nuk ha hijeshinë e dikurshme.

Qytetarët më kot ngrenë kokën për të parë orën, por në çdo moment të ditës dhe natës të kalosh rreth tij akrepat nuk lëvizin. Ora prej vitesh shënon 11:15, si për të treguar se koha ka ndalur për gjithë qytetin.

Sahati është ndërtuar në vitin 1918 me interesimin e Ali Asllanit dhe financimin e tregtarëve të qytetit u projektua nga specialistë italianë.

Përveç funksionit të tij praktik, ai përfaqësonte një risi arkitekturore, duke sjellë për herë të parë në Vlorë përdorimin e betonit të armuar dhe lidhëseve me çimento.

Në vitin 1996, ndërtesa iu nënshtrua punimeve restauruese, duke rigjallëruar përkohësisht lavdinë e dikurshme. Por lavdia nuk zgjati shumë. Ora 11:15 duket se po shqetëson vetëm banorët, pasi autoritetet nuk po kujtohen për të vënë në punë simbolin e qytetit.