Situata me mbetjet në Bashkinë Selenicë prej kohësh është problematike. Në shumë fshatra gjen mbetura kudo, në rrugë, trotuare, dhe siç ka raportuar më herët Gjurmon.al tashmë shtrati i lumit Shushicë është kthyer në landfill.
Por situata duket më alarmante në zona më të izoluara, ku syri i kalimtarëve nuk i shikon shpesh.
Këto pamje janë xhiruar pak ditë më parë në Kotë, në afërsi të qendrës së këtij fshati. Dhjetëra metra nga Njësia Administrative Kotë është kjo situatë me mbetjet, ku qese plastike, bidona etj. kanë pushtuar këtë përrua.
Siç edhe shprehen banorët e kësaj lagjeje, kjo situatë vijon prej muajsh dhe askush nga autoritetet nuk i ka pastruar.
Por problemi nuk përfundon këtu, pasi këto mbetje nga shirat e rrëmbyeshëm gjatë dimrit transportohen në lumin Shushica e më tej edhe në det. Kjo zonë nuk është e vetmja që është në këtë gjendje, në ditët në vijim Gjurmon.al do u sjell pamje të tjera që tregojnë se plehrat kanë pushtuar çdo përrua.