Menaxhimi i mbetjeve duket se janë një ndër problemet kryesore në Bashkinë Selenicë. Ngjashëm me situatën në fushën e mbetjeve qindra metra larg qytetit të Selenicës, edhe fusha e mbetjeve për Njësinë Administrative Kotë është në të njëjtën gjendje. Kujdesi duket një fjalë e huaj në këtë fushë mbetjesh, pasi bashkia i grumbullon mbetjeve jashtë çdo kushti minimal.
Pamjet flasin vetë, ku mund të shquhen kafshë të ngordhura, mbetje të çdo lloji, mes tyre mund të ketë dhe të rrezikshme, por nuk merret asnjë masë për menaxhimin e tyre.
Bashkia kujdeset vetëm për t’i grumbulluar, por era duket se ka bërë punën e saj dhe qeset janë të shpërndara kudo. Bashkë me plehrat në ajër përhapet edhe një aromë e pakëndshme në gjithë zonën përreth. Ndotja është më e madhe nëse flasim për ujërat sipërfaqësorë.
Në buxhetin e bashkisë shkojnë dhjetëra milionë Lekë për pastrimin, por pamjet flasin vetë dhe menaxhimi i tyre lë shumë për të dëshiruar.