VIDEO – Laguna e Nartës përballet me ndotje nga plastika

VIDEO – Laguna e Nartës përballet me ndotje nga plastika

Laguna e Nartës, një nga ekosistemet më të rëndësishme lagunore në Shqipëri, po përballet me një ndotje nga mbetjet plastike.

Përtej pasurisë së jashtëzakonshme natyrore dhe biodiversitetit që mbart, laguna po vuan nga prania e madhe e plastikës – shishe, qese dhe mbeturina të tjera që grumbullohen përgjatë vijës ujore dhe tokës përreth. Kjo ndotje jo vetëm që dëmton pamjen natyrore dhe jetën e shpendëve migratorë, por përbën rrezik të drejtpërdrejtë për florën dhe faunën unike të zonës.

Ndotja më e dukshme në zonën e lagunës vjen pikërisht nga parkimi pranë Manastirit të Zvërnecit, i cili, përveç funksionit të tij praktik, është kthyer në një burim të përhershëm mbeturinash. Vizitorët që ndalojnë aty me makina, shpesh hedhin mbeturina plastike, shishe, qese dhe mbetje ushqimore pa asnjë ndërgjegje mjedisore.

Laguna e Nartës, e vendosur në pjesën veriperëndimore të qytetit të Vlorës, është laguna e dytë më e madhe në Shqipëri, pas asaj të Karavastasë. Ajo shtrihet përgjatë bregdetit Adriatik, midis fshatit Nartë dhe zonës së Zvërnecit, dhe është pjesë e zonës së mbrojtur Vjosë–Nartë, me një sipërfaqe prej rreth 42 km².