Segmenti rrugor i njohur prej të gjithëve si Lungomare në Vlorë, po shndërrohet në një rrezik për qytetarët. Pavarësisht se ky segment është i ngushtë dhe shpejtësia e lejuar është deri në 40 km/h, ky rregull injorohet prej drejtuesve të mjeteve edhe është kthyer në “pistë garash”.
Gjatë ditëve të fundit, është vënë re një rritje e ndjeshme e aksidenteve, ku Policia e Shtetit ka raportuar për ngjarje të tilla pothuajse çdo ditë. Rasti i fundit ishte të shtunën në mbrëmje, ku dy automjete tip Benz janë përplasur me njëra-tjetrën.
Një prej drejtuesve të mjeteve ka mbetur i plagosur, por pavarësisht se ky aksident përfundoi pa viktima, situata është alarmante pasi në momentin e përplasjes së makinave ka pasur kalimtarë të shumtë.
Pavarësisht rritjes së rasteve të aksidenteve, fokusi i policisë së Vlorës mbetet kryesisht në rritjen e statistikave të gjobave për shkelje të tilla si mosvendosja e rripit të sigurimit dhe parkimi i gabuar, duke evituar marrjen e masave të rrepta për parandalimin e këtyre shkeljeve, të cilat përbëjnë rrezik për jetën e shoferëve dhe qytetarëve.