Ura mbi lumin Vjosë, e cila lidh qytetet e Vlorës dhe Fierit, paraqet një rrezik për sigurinë e qarkullimit rrugor. Trafikndarëset në këtë segment të rëndësishëm rrugor janë të zhvidhosura, duke u kthyer në një kërcënim të mundshëm për aksidente të rënda.
Shoferët që përshkojnë këtë rrugë raportojnë se disa trafikndarëse janë të lëvizshme. Në mungesë të ndonjë sinjalistike paralajmëruese apo ndërhyrjeje nga autoritetet, rreziku i përplasjes midis automjeteve mbetet i lartë, sidomos gjatë natës ose në kushte atmosferike të vështira.
Gjurmon.al ishte në terren për të parë nga afër gjendjen e urës dhe konstatoi se situata është alarmante. Shumë prej vidhave mbajtëse mungojnë, duke e bërë strukturën të pasigurt për këmbësorët dhe mjetet që e kalojnë çdo ditë. Është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më parë për të riparuar dëmet dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Pavarësisht denoncimeve të qytetarëve, deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore. Drejtuesit e automjeteve kërkojnë që autoritetet të marrin masa të menjëhershme për të riparuar trafikndarëset dhe për të rritur sigurinë në këtë aks rrugor.